Transmetuar më 08-06-2021, 20:49

Shqipëria është prekur nga gripi i shpendëve, një sëmundje ngjitëse e cila vitet e fundit ka shkaktuar disa të vdekur në vendin tonë. Ministria e Bujqësisë njoftoi sonte se ka identifikuar deri tani tre vatra infeksioni.

“Sëmundja është e pranishme në 3 vatra, që ndodhen respektivisht në Njësinë Administrative Fushë- Krujë, në Njësinë Admistrative Dajt dhe në Njësinë Administrative Bujan”, thuhet në një deklaratë zyrtare nga Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, raporton noa.al.

Kjo ministri thotë se po ndjek me vëmendje monitorimin e situatës epidemiologjike në popullatën e shpendëve në vendin tonë. Pohimi i ministrisë vjen pak ditë pasi ajo publikoi vendimin për të ndaluar importin e shpendëve nga disa shtete, por nuk tregoi se virusi i rrezikshëm kishte depërtuar në Shqipëri.

Ministrja Milva Ikonomi, njoftoi se është ngritur Qendra Kombëtare e Krizës për drejtimin dhe koordinimin e planit të veprimit dhe dha detaje të tjera sonte mbi vatrat e Gripit të shpendëve.

"Pas analizimit të mostrave nga rastet e dyshimta në shpendë të oborrit, në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), është konfirmuar prania e Gripit të shpendëve (Influenca Aviare) të tipit H5N8. Sëmundja është e pranishme vetëm në 3 vatra, që ndodhen respektivisht në Njësinë Administrative Fushë- Krujë, në Njësinë Admistrative Dajt dhe në Njësinë Administrative Bujan.

Shërbimi Veterinar kreu eliminimin e shpendëve të prekur dhe të dyshimtë, si dhe mori masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes. Në vijim, Urdhëri i Ministrit ndalon në rang kombëtar tregtimin e shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla. Lejohet lëvizja e shpendëve me destinacion thertoret, të shoqëruar vetëm me certifikatë shëndetsore veterinare", tha Ikonomi.

Por çfarë ndodh me pularitë e shumta që gjenden në vend? Ikonomi thotë se lidhur me komplekset intensive, deri tani nuk ka asnjë rast të dyshuar.

Ministria e Bujqësisë thotë se "është me rëndësi të theksojmë se produktet dhe nënproduktet me origjinë nga këto shpendë nuk paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve". /noa.al

Lexoni dhe: Frikë nga gripi i shpendëve, Shqipëria bllokon importin nga disa shtete