Transmetuar më 08-06-2021, 21:35

Ai kishte fituar më shumë se 450 mijë euro në National Lottery vetëm 16 vjeç.

Futbollisti Callum Fitzpatrick, sot 23 vjeç, ka humbur jetën të martën e kaluar në rrethana misterioze.

Lajmërimi është dhënë nga skuadra e tij e futbollit, Ballymartin GAC, në Irlandën e Veriut.

Djali ishte bërë një nga fituesit më të rinj të asaj që është llotaria më e famshme në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2014 dhe një pjesë të pasurisë së tij e kishte shpenzuar duke marrë pjesë në evente të ndryshme të lidhura me skuadren e tij të zemrës, Manchester United, me të cilën bëri edhe disa stërvitje.

Callum kishte zbuluar se kishte fituar ndërkohë që kujdesej për tezen e tij, me aftësi të kufizuara.

Në atë kohë punonte në dyqanin e prindërve të tij Colin dhe Sheila Fitzpatrick.

Një zëdhënës i Ballymartin GAC ka thënë se humbja e tij ka pikëlluar komunitetin lokal.

“Komiteti Ekzekutiv, anëtarët dhe skuadra e Ballymartin Senior janë thellësisht pikëlluar nga humbja e papritur e mikut dhe shokut tonë të skuadres Callum Fitzpatrick.

I gjithë komuniteti i Ballymartin dhe zona përreth Mourne e ka zemrën e thyer”, lexohet në një postim të publikuar në Facebook.