Transmetuar më 09-06-2021, 04:44

Para se të vriste gruan dhe të varte veten dy ditë më parë me litar, i ndjeri Qemal Bici ishte shumë i shqetësuar për varfërinë që kishte pllakosur familjen.

Pak muaj më parë Bici ka dhënë një intervistë në prag të Vitit të Ri, ku ka folur situatën e vështirë ekonomike.

“Jam 6 veta dhe jemi të gjithë të papunë, edhe përkrahjen sociale ma hoqën, nuk kam të paguaj as dritat dhe as thesin e miellit. Nuk po na përkrah askush, qeveria sheh Tiranën nuk sheh Librazhdin, nuk kemi as rrugë dhe as ujë të pijshëm, dhe ujin e vaditjes na e mori centrali, nuk kemi asgjë fare", thoshte Qemal Bici.

Duke folur në intervistë ndërsa gjendej në Lazarat, ai pohonte se shumica ishin aty për të parë e jo për të blerë: "Mos të shkojë mendja se i gjithë ky popull këtu ka ardhur për të blerë, por kanë ardhur më shumë për të dalë se u mërzitën duke ndenjur në fukarallëk. Bëj një xhiro nëpër pazar dhe shiko a gjen njeri me çantë në dorë duke blerë për Vitin e Ri. Nuk kanë asgjë fare. Unë sot kam blerë vetëm letra për të dredhur duhan. Ky është Viti i Ri i imi, fukarallëk dhe pa bukë në shtëpi. Nuk kam bukë në shtëpi”, ka thënë Bici, pesë muaj para ngjarjes tragjike.

Vdekja e dyfishtë ndodhi ditën e hënë në fshatin Dragostunjë të Librazhdit. 56-vjeçari Qemal Bici qëlloi mbi bashkëshorten e tij Menduhien, dhe më pas vari veten.

Çifti kishte 4 fëmijë. Ka qenë djali i tyre 19-vjeçar që i ka gjetur të vdekur dy prindërit. Fillimisht gjeti në shtëpi të ëmën e pajetë dhe të përgjakur e kur doli në oborr pa edhe të atin të varur.