E vërteta e Pepsi Cola që Prokuroria shqiptare do ta përdorte si provë për krime kundër njerëzimit
Transmetuar më 09-06-2021, 05:24

Nga Rexhep Polisi

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi të premten në emisionin “Zonë e Lirë” të A.Çanit se, e vetmja akuzë e ngritur ndaj tij ishte ajo për “krime kundër njerëzimit” dhe për këtë si provë Prokuroria kishte një Pepsi Cola që e zbuloi një gazetar.

Po si qëndron e vërteta e Pepsi Cola-s që Prokuroria pretendonte se kishte si provë të fortë ndaj të arrestuarve të 14 shtatorit.

Unë kam qënë një nga gazetarët e kronikës që merrnim informacione në Prokurori për dosjet që hetoheshin. Aty nga muaji mars i vitit 1999 ndërsa ndodheshim para Prokurorisë së Përgjithshme, një nga kolegët na tha se, në orën 2 kryeprokurori ushtarak, A.Goga do të na priste në zyrë për të na komunikuar një lajm të rëndësishëm. Prokuroria Ushtarake ndodhej ngjitur me Prokurorinë e Përgjithshme.

U futëm në zyrën e kryeprokurorit ushtarak. Ishim rreth 7 gazetarë, por tani mbaj mend vetëm Roland Qafokun e gazetës “Koha Jonë” dhe Ylli Doskun e gazetës “Albania” pasi kishim afrimitet me njeri-tjetrin. Ishte një zyrë e vogël dhe ne gazetarët qëndruam në këmbë. Në tavolinën e kryeprokrurit ushtarak ndodheshin 3 PepsiCola 1.5L me një lëng me ngjyrë të kuqërremtë prej nga vinte edhe një aromë benzine.

Kryprokurori ushtarak tha ndër të tjera se, “këto janë provat që kemi siguruar për të arrestuarit dhe të akuzuarit për “grushtin e shtetit” dhe na tregoi me gisht 3 PepsiColat mbi tavolinë. Ai tha se, këto bidona ishin “bomba molotov” dhe janë përdorur nga të arrestuarit e “grueshtit të shtetit” kundër institucioneve shtetërore.

Pasi mbaroi fjalën kryeprokurori ushtarak unë mora në dorë njërën nga bidonat e Pepsi Colës dhe po vështroja etiketën. Në etiketë shkruhej viti i prodhimit 1999. “Kjo është provë e montuar, thashë unë. Shikoni etiketën, viti i prodhimit është 1999 ndërsa ngjarja për të cilën po flisni ju ka ndodhur më 14 shtator 1998! Me këto prova të montuara do të mbani në burg njerëz të pafajshëm?!”, thashë unë. Kryeprokurori ushtarak u hutua krejt dhe vetëm po më vështronte dhe nuk nxori asnjë gjysëm fjale.

Shkova në redaksi dhe përgatita ljamin, i cili u botua të nesërmen në gazetën “Rilindja Demokratike”. Pas publikimit të këtij lajmi, prokurorëve u plasi në dorë shashka dhe Prokuroria nuk i praqiti në Gjykatë bidonat me PepsiCola ndërsa pas pak muajsh të arrestuarit për “grusht shteti”, ndërmjet tyre edhe kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia u liruan. Po ashtu u hoq edhe masa e sigurisë ndaj gazetarëve të RTSH, Alfons Zeneli dhe Antoneta Malja.

Ngjarja e 14 shtatorit ndodhi dy ditë nga vrasja shtetërore e Azem Hajdarit. Djetëra mijëra njerëz të zemëruar dhe të hidhëruar nga vrasja e Liderit të Dhjetorit shpërthyën në revoltë. Në këto ditë të vështira pas vrasjes së Liderit të Dhjetorit, Berisha qëndronte në zyrën e tij në PD dhe herë pas here dilte në ballkonin e selisë dhe u bënte thirrje qytetarëve të shumtë për vetëpërmbajtje.

*Pikëpamjet e autorit janë personale