Transmetuar më 09-06-2021, 15:34

Ashtu siç edhe pritej Parlamenti votoi sot për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta me një proces që zgjati rreth një orë përmes votimit të fshehtë me kuti.

Ndër 122 deputetë nga 140 që duhet të jetë Kuvendi, 115 morën pjesë. Ndër ta 104 votuan pro shkarkimi, 7 kundër dhe 3 abstenuan, raporton noa.al që ndoqi këtë proces.

Më herët u votua raporti që vlerësonte se janë kryer shkelje të rënda të Kushtetutës.

Që nga shkurti 2019 ky parlament në ikje ka vetëm 122 ndër 140 deputetë që duhet të ketë.

Vendimi i Parlamentit gjithsesi nuk ka fuqi ekzekutuese, pasi do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese e cila ka në radhë edhe 180 çështje të tjera.

Edhe nëse kalohet me përshpejtim, vendimi për Metën ka shumë mundësi që në aspektin procedural të bjerë. Kjo ndodh nëse Kushtetuesja konsideron të drejtë vlerësimin e Presidentit se komisioni hetimor kundër tij është mbledhur jashtë afateve ligjore.

Në rast se kjo pranohet, vendimi zhbëhet dhe për të dytën herë, kryetari i shtetit i shpëton tentativave të Parlamentit për ta shkarkuar.

Në Gjykatën Kushtetuese, mjaftojnë votat e pesë prej anëtarëve që Vendimi të marrë fuqi ekzekutuese.

/ardi/noa.al