Transmetuar më 10-06-2021, 14:36

Një person i cili ishte dënuar për vrasje me paramendim është futur sot në territorin shqiptar përmes kufirit me Greqinë në Kapshticë, raporton noa.al.

Besnik Çoadari,  45 vjeç, paraqiti pasaportë të dyshuar si të falsifikuar në kufi ndaj u arrestua në flagrancë dhe rezultoi se ishte me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës.

"Nga shërbimet e Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. Ç., 45 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale "Vrasja me paramendim").

Ky shtetas është paraqitur në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, me një pasaportë në emrin e një shtetasi tjetër, e dyshuar si e falsifikuar, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale", tha policia në një njoftim për shtyp.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave".

Ndërkohë, Besnik Çoadari ishte në listën e 22 personave më të kërkuar nga policia shqiptare e cila në një publikim të janarit 2019 tha se e kërkonte për dënim 25 vjet burg që kishte marrë nga Gjykata. /ardi/noa.al