Transmetuar më 12-06-2021, 08:26

Të paktën 40 studentë të Universitetit të Vlorës i kanë diplomat të pavlefshme për shkak të gabimit të sekretares së Fakultetit

Një gabim i sekretares së Fakultetit të Shkencave Humane, në Universitetin e Vlorës, u ka kushtuar shtrenjtë 40 studentëve të diplomuar për anglisht.

Ata iu drejtuan për ndihmë medias dhe thanë dje në Tch se që nga 2019 e deri më sot nuk kanë mundur të punësohen në asnjë institucion për shkak se diplomat e tyre dalin të pavlefshme në sistem.

Numri i identifikimit së diplomës së maturës shtetërore nuk është i njëjtë me atë të diplomës së bachelor-it. Studentët kanë kërkuar disa herë zgjidhjen e këtij problemi nga Rektorati i Universitetit të Vlorës, i cili nuk ka arritur t’i japë asnjë zgjidhje brenda këtyre dy viteve.

Disa prej këtyre studentëve treguan se kur kanë aplikuar për punë, kanë mësuar që diploma e tyre në sistem dilte për infermieri, madje jo në pak raste i kishin akuzuar edhe për falsifikim titulli universitar.

Zëvendës-rektorja për fushën arsimore, znj. Frosina Londo tha se ka urdhëruar kryerjen e e disa hapave, si për shembull verifikimin e ankesave dhe evidentimin e personave përgjegjës nga një komision i ngritur në Fakultetin e Shkencave Humane. /blerina/noa.al