Transmetuar më 12-06-2021, 20:12

Edmond Arizaj

A ishte dorëheqja një reagim burrëror për dikë pa miratimin e të cilit nuk ndodhte pothuaj asgjë në parti, por që nuk i është dëgjuar mendimi për diçka të rëndësishme, shkarkimi i Metës psh?

A do të sjellë largimi i Ruçit disbalanca në thellësitë e Partisë Socialiste? A e donte Edi Rama largimin e Ruçit? A ishte vendim personal tërheqja e Ruçit?

A do e sqarojë ndonjëherë Ruçi këtë vendim, s’ka rëndësi sa vite pas, s’ka rëndësi në libër kujtimesh a intervistë me Fevziun?

A do të luajë Ruçi “kujtesën” e PS, apo do kyçë gjithçka di e ka qenë prezent në harresë?

A do i sqarojë ndonjëherë Ruçi enigmat e mëdha dhe prapaskenat e politikës në këto 30 vjet?

A është mosha një arsye për tërheqjen, kur Ruçi ishte-është një nga figurat më me personalitet të politikës, më i pjekur, me asnjë “shkarje këmbe” në karrierë dhe me një dituri të thellë politike?

A është tërheqja e Ruçit një ndër sinjalet që po dërgohen rresht këto ditë drejt PD? A do të përfshihet Ruçi në zhvillimet e mëtejshme në PS?

A është dorëheqja e Ruçit pas marrjes së mandatit, veprimi më i bukur i një njeriu që sado qejfmbetje të ketë (a ka?!), nuk e dëmton partinë e tij?

Gjithsesi, pavarësisht pyetjeve që s’kanë fund, me një nga personazhet më enigmatikë të politikës dhe jetës publike, Gramoz Ruçi zgjodhi të tërhiqet si një gjigand, që ka marrë përdore një tufë me fëmijë ngatërrestarë, i ka kaluar nëpër pyllin e frikshëm dhe në fund u thotë, kur ata nuk e prisnin: Tani ecni vetë. Unë po kthehem tek rrënjët e mia.