Transmetuar më 13-06-2021, 11:27

Partia Demokratike zhvillon sot zgjedhjet për kreun e ri, të cilat kanë nisur në orën 08:00 dhe pritet të mbyllen në 19:00, për të vijuar me numërimin e votave më 19:30 dhe brenda orës 08:00 të ditës së nesërme pritet rezultati.

Në garë për të drejtuar partinë e dytë më të madhe në vend janë kreu aktual i PD, Lulzim Basha, i cili kërkon mandatin e tretë në krye të PD, si dhe tre kandidatë të tjerë,  Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj.

Anëtarësia e PD në të gjithë vendin po voton mes katër kandidatëve për të zgjedhur kreun e ri të partisë, që do t’i drejtojë për katër vitet e ardhshme.

Noa.al ju sjell më poshtë pamje nga procesi i votimit.

Janë 75 mijë anëtarët e PD, të ftuar t’i drejtohen 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin, përmes të cilave ata duhet të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin.

Sipas udhëzimit, ata duhet të zgjedhin vetëm 1 prej kandidatëve, pasi vota e tyre do të jetë nul nëse votojnë për më shumë se një prej katër emrave në garë. Në fletën e votimit, Fatbardh Kadilli është i renditur i pari, e pas tij Edith Harxhi, Agron Shehaj e Lulzim Basha.

Siç shihni pamjet e mëposhtme që sjell noa.al, sot ka pasur radhë gjatë votimit. E njëjta gjë dhe në qendrën e votimit ku ishte Lulzim Basha.

Duke folur për mediat pas votimit, z.Basha tha se falënderonte "mediat për mbulimin që po i bëjnë këtij procesi unik, dua të falënderoj demokratët anembanë Shqipërisë, kujdestarët e procesit komisionerë vëzhgues, në këtë proces unik, të vlerave tona, të vlerave të demokratëve, të zgjedhjet një anëtarë një votë të kryetarit të PD. Këto janë vlerat tona, vlerat e demokracisë, të shprehjes së lirë, konkurrencës, shprehjes së lirë dhe debatit. Me këto vlera e kemi nisur betejën për ndryshimin për Shqipërinë dhe shqiptarët, me këto vlera do ta çojmë deri në fund deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi”. /klea/noa.al