Transmetuar më 13-06-2021, 12:37

Nga Federata Daneze e Futbollit vjen një deklaratë e re mbi kushtet shëndetësore të Christian Eriksen, i cili u shemb pa puls dhe pa ndjenja në fushën e blertë, gjatë ndeshjes së “Euro 2020”, Danimarkë-Finlandë.

Mjekët e kombëtares ndërhynë shpejt dhe e mbajtën në jetë, pastaj e dërguan në spital, ku po vijon kontrollet e imta mjekësore për të zbuluar shkakun dhe sëmundjen.

Ja njoftimi i federatës: "Ne biseduam me të këtë mëngjes, Christian iu dërgoi përshëndetje shokëve të tij të skuadrës. Gjendja e tij është e qëndrueshme, do të qëndrojë në spital për analiza të mëtejshme.

Ekipi dhe stafi i ekipit kombëtar morën ndihmë psikologjike, çka do të vazhdojë, pas episodit të djeshëm.

Ne duam t’i falënderojmë të gjithë për mesazhet mbështetëse në adresë të Eriksen, që nga tifozët te lojtarët, nga Familjet Mbretërore të Danimarkës dhe Anglisë, nga federatat kombëtare, nga klubet…

I ftojmë të gjithë të dërgojnë mesazhet e tyre në Federatën Daneze të Futbollit, ne do të sigurohemi që ato të arrijnë te Christian dhe familja e tij". /fredi/noa.al