Transmetuar më 13-06-2021, 14:30

Joao Cancelo ka rezultuar pozitiv për COVID-19 dhe është zëvendësuar nga Diogo Dalot në kombëtaren e Portugalisë për “Euro 2020”, ka njoftuar Federata Portugeze e Futbollit.

27-vjeçari nuk është lojtari i parë, që tërhiqet nga kompeticioni i kësaj vere për shkak të virusit.

Lajmi vjen dy ditë para se luzitanët të debutojnë në këtë Europian, kundër Hungarisë në Budapest.

Cancelo mbërriti në “Euro 2020” pas një sezoni mbresëlënës me Manchester City, duke bërë 43 paraqitje, ndërsa skuadra e Pep Guardiolës fitoi titullin në Premier League dhe u mposht në finale të Ligës së Kampionëve.

Ndërkohë, zëvendësuesi i tij, Dalot, e kaloi sezonin në huazim te Milani. Ai ishte pjesë e Portugalisë U-21, që u mund në finalen e Kampionatit Europian nga Gjermania, javën e kaluar.

Rastet e tjera? Të premten, Andrey Mostovoy u largua nga skuadra e Rusisë, pasi doli pozitiv. Përgatitjet e Spanjës u tronditën nga koronavirusi, teksa kapiteni Sergio Busquets rezultoi i infektuar të dielën e kaluar, i ndjekur nga mbrojtësi i Leeds United, Diego Llorente, në fillim të kësaj jave.

Suedia, gjithashtu është prekur, me dy lojtarë të infektuar: Dejan Kulusevski dhe Mattias Svanberg. Skocia kishte një rast pozitiv përpara Europianit, ndërsa portieri i Hollandës, Jasper Cillessen, gjithashtu doli pozitiv për COVID-19 dhe u largua nga kombëtarja. /fredi/noa.al