Transmetuar më 13-06-2021, 15:21

Jeta e një djali të ri është marrë pabesisht duke e vrarë dhe më pas duke e hedhur në një rezervuar ku është mbytur, duke krijuar idenë e një ngjarjeje aksidentale.

Por vdekja e Fridman Xhaferraj nuk është as flijim dhe as incident. Ai është goditur me sende të forta duke e masakruar dhe më pas e kanë mbytur.

Burime nga policia e Shtetit thanë për noa.al se u konstatua që i ndjeri ka dëmtime me mjet të fortë.

I riu u gjet sot në rezervuarin e Gjançit, në Korçë është një djalë vetëm 25 vjeç i cili rezultonte të ishte nën arrest shtëpie.

Fridman Xhaferraj, 25 vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnjë, njihej si piroman. Ai mësohet se ishte i dënuar më parë për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", kryer në bashkëpunim).

Gjykata e Rrethit Lushnjë, me vendimin e datës 21.05.2021, kishte caktuar për këtë shtetas ndryshimin e masës së sigurisë, nga "Arrest në burg" në "Arrest në shtëpi".

Noa.al konfirmoi se gjetja e të ndjerit u bë objekt hetimi nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.

"Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje", tha policia lokale duke lënë të hapur opsionet e ngjarjes.

Më 19 shkurt 2021, një zjarr shpërtheu në qendrën tregtare të Lushnjë. Nga zjarri u dëmtua pjesërisht edhe magazina e kësaj qendre tregtare, pranë së cilës ndodheshin të parkuara 3 mjetet. Sipas policisë zjarri fillimisht i është vënë automjetin tip "Benz" në pronësi të shtetasit N. K., dhe më pas janë djegur dhe dy mjetet "Audi" dhe "Fiat" të parkuar pranë automjetit tip "Benz".

Për atë ngjarje policia akuzoi të riun që u gjet sot i vdekur. /ardi/noa.al/