Transmetuar më 13-06-2021, 22:26

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, nxjerrin me avantazh të thellë kreun aktual Lulzim Basha në të gjithë Shqipërinë.

Në rang kombëtar, nga rezultatet paraprake Lulzim Basha ka arritur të marrë 80% të votave të demokratëve.

Pas tij, gjithnjë në rezultatet paraprake, Agron Shehaj ka marrë 15,55%, Edit Harxhi 2,45% dhe Fatbardh Kadilli 2%.

Kryetari i komisionit zgjedhor në PD, Jemin Gjata, tha të dielën në mbrëmje se ditën e hënë del rezultati i plotë zyrtar.

“E dhëna zyrtare do të dalë vetëm nesër paradite, pasi ne të kemi administruar të gjitha kutitë e votimit, të cilat do të hapen në komision në praninë tuaj po të doni, nesër pas orës 09.00, do të nxirren procesverbalet, do të regjistrohen procesverbalet një përmbledhëse.

Do të shpallet rezultati zyrtar i kandidatit fitues dhe të dhënat prej secilit prej kandidatëve në garë”, tha Gjana.