Transmetuar më 14-06-2021, 13:50

Ministria e Brendshme thotë se ka prova të mjaftueshme që Prokuroria të kërkojë në gjykatë masën e sigurisë arrest me burg për 38 vjeçarin Lavdosh Metaj që shikoni no foto.

I riu u arrestua në kushtet e flagrancës nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) pasi u kap me një sasi kokaine gati për shitje, raporton noa.al.

Metaj ishte me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, forcat “Shqiponja” në Komisariatin e Policisë Sarandë. Por tani ai akuzohet për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.

Arrestimi u krye pas një hetimi disamujor në aplikim të metodave të posaçme hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë.

Në këtë hetim u grumbulluan fakte që krijuan dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova se punonjësi i policisë Lavdosh Metaj në orarin e punës dhe jashtë tij, kryente në mënyrë sistematike shpërndarje të narkotikëve në ambjente të populluara argëtimi me muzikë në Sarandë.

Bazuar në këto fakte të dokumentuara në rrugë proceduriale, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë lejoi kontrollin personal dhe të banesës së punonjësit të policisë Metaj.

Në ekzekutim të vendimit të Gjykatës, gjatë kontrollit personal të kryer në kushtet e kapjes në flagrancë, punonjësit të Policisë Lavdosh Metaj iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lënda e dyshuar narkotike e llojit kokainë në sasinë 5 gramë, e ndarë në 11 doza.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së punonjësit të policisë u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi prej 165 grame lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kokainë dhe një peshore që përdorej për peshimin e saj në procesin e ndarjes në doza. Këtë veprimtari të kundraligjshme, i arrestuari e kryente gjatë kohës së shërbimit dhe jashtë saj, tha SHÇBA.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet e mëtejshme për të dokumentuar veprimtarinë e bashkëpunëtorëve të tjerë mes rradhëve të strukturave policore, apo jashtë saj. /ardi/noa.al

Foto: Facebook