Transmetuar më 14-06-2021, 19:48

Komiteti Kombëtar i Vaksinimit në Greqi njoftoi sot se ka rekomanduar ndalimin e vaksinës AstraZeneca për qytetarët e saj nën 60 vjeç. Praktikisht ky është një ndalim i plotë i kësaj vaksine, pasi në vendin fqinjë ka përfunduar vaksinimi i shtetasve mbi 60 vjeç.

Në arsyetimin e vendimit, thuhet se "Agjencia Evropiane e Barnave analizoi të dhëna më të reja dhe më të hollësishme”.

Gjatë muajve Prill dhe Maj 2021, u raportuan disa dhjetëra raste te të vaksinuarve me AstraZeneca të cilët kishin pësuar trombozë. Ata ishin njerëz të moshës 30-59 vjeç dhe të paktën tre persona kanë humbur jetën. Vendimi u bë i ditur nga mediat greke ndërsa më herët sot, Greqia solli në Tiranë 20 mijë doza të kësaj vaksine si dhuratë për shqiptarët. Autoritetet në vendin tonë nuk e ndalojnë këtë vaksinë për të gjitha moshat e rritura. /noa.al