Transmetuar më 14-06-2021, 22:36

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel ku në kuadrin e samitit të NATO-s, ka zhvilluar biseda me disa drejtues qeverish. Mes tyre Rama takoi edhe homologun grek, Kyriakos Mitsotakis, raporton noa.al.

Zyrtarisht bëhet e ditur se Rama dhe Mitsotakis kanë diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe. Zyra e shtypit të kryeministrit grek tha se ky i fundit ka kërkuar nga Rama që të përshpejtohet mbyllja e historisë së ndarjes së kufijve detarë.

Raportohet se me këtë rast, ata ranë dakord se të dy vendet janë të gatshme të shpejtojnë negociatat për përfundimin e një marrëveshje të përbashkët ne lidhje me përcaktimin e kufijve të zonave të tyre detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Ajo që nuk u tha në publikimet mediatike është nëse Rama ka kërkuar edhe ai diçka nga kreu i qeverisë greke, konkretisht, rihapja e kufijve. Takimi sot do të ishte një rast i mirë për ta bërë këtë, për vetë faktin se janë qindra mijë shqiptarë që duan të takohen me familjarët e vet dhe shumë të tjerë që kanë marrëdhënie biznesi dhe miqësore në vendin fqinjë, pa llogaritur dhe plot shqiptarë që shkojnë shpesh në Greqi për pushime apo shoping.

Publikimi i fotove me Mitsotakis në Facebook ka provokuar kritikat e ndjekësve duke i kërkuar që Rama të shprehet për kufijtë e mbyllur.

"I the kur do i hapin kufirin që të kalojnë lirisht njerëzit", pyet një qytetare, një pyetje që është përsëritur shumë herë mes ndjekësve. E ndryshe nga plot herë të mëparshme, Rama ka munguar të reagojë në këto komente. /noa.al