Transmetuar më 15-06-2021, 10:25

Gjykata Kushtetuese po zhvillon sot një seancë për shqyrtimin e padisë së Presidentit të Republikës, i cili kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të projektit për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar në Tiranë.

Presidenti kërkon shfuqizimin e vendimit të kalimit në pronësi të Bashkisë së Tiranës të godinës së teatrit dhe pezullimin e ndërtimit të ri, derisa Gjykata Kushtetutese të shprehet me vendim të formës së prerë.

Padia e Presidentit u shqyrtua në një seancë paraprake dy javë më parë, por për arsye se u kërkua kohë nga paditësi, gjykata caktoi 15 qershorin si ditën e shqyrtimit në seancë plenare.

Palë të interesuara në këtë proces janë Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Ministria e Kulturës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia e Tiranës dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Seanca zhvillohet ndërsa godina e Teatrit Kombëtar është prishur.