Transmetuar më 16-06-2021, 07:07

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit i ka komunikuar zyrtarisht akuzën Ardian Çapjas, nipit të tij, Florenc Çapja, dhe 4 personave të tjerë, të akuzuar për vrasjen e babë e bir, Nezir e Gentian Beqiri, në Elbasan, në vitin 2012.

Prokurorët e SPAK-ut iu kanë komunikuar akuzat e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj 2 ose me shumë personave”, “Grupit të strukturuar” dhe “Armëmbajtje pa leje” Ardian Capjas, Ervis Bardhit, Olsi Lekut dhe Klajdi Dokollit.

Ardian Çapja u arrestua më 29 mars në Elbasan, ndërsa nipi i tij, Florenc Çapja është ende në kërkim nga Policia. Xhaxha e nip, akuzohen për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezirit në 2012.

Policia ka rënë në gjurmët e tyre falë dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Ervis Bardhi, i cili mes të tjerash, ka thënë se Ardian Çapja i kishte ofruar 50 mijë euro për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezirit.

Në 15 gusht të vitit 2012, 40-vjeçari, Gentian Beqiri, është ekzekutuar në banesën e tij, në lagjen “Sporti i Vjetër”, të Elbasanit, raporton News24.  Dëshmitar i ngjarjes së rëndë, ka qenë babai i tij, Nezir Beqiri, i cili ndërroi jetë pak minuta pas të birit.

Fillimisht u dyshua se Nezir Beqiri kishte pësuar infarkt pas ngjarjes, por ekspertiza mjekoligjore përcaktoi se i moshuari ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta që ka marrë në trup. Ekzekutorët e kanë goditur disa herë në mushkëri, duke i shkaktuar hemorragji e pas disa minutash në urgjencën e qytetit, ai gjeti edhe vdekjen. Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-ën, Gentian Beqiri është akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Prej disa kohësh 40-vjeçari, Gentian Beqiri, ishte në “Arrest shtëpie” për këtë vrasje. Ai vuante nga një dëmtim në shtyllën kurrizore, për shkak të një tentative arratisjeje nga qelitë e paraburgimit. Vrasjet janë kryer në gjakftohtësi dhe dy efektivët rojë nuk e kanë kuptuar që ekzekutorët kanë kryer krimin. Ata e kanë marrë njoftimin vetëm pasi ka ardhur ambulanca.

Për vrasjen e babë e bir, Policia e Elbasanit pati arrestuar në atë kohë Florenc Çapjan dhe A.J.. Por disa ditë më pas, Gjykata e Elbasanit ka liruar nga burgu njërin prej të akuzuarve për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqiri. Në seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë për dy të akuzuarit, trupi gjykues ka lënë sërish në “Arrest me burg” të dyshuarin A.J., ndërsa Florenc Çapja u vendos që të gjykohej në gjendje të lirë deri në përfundim të procesit.

Në seancën e mëparshme gjykata i kishte lënë 60 ditë kohë Prokurorisë dhe Policisë për të faktuar akuzën e vrasjes ndaj të arrestuarve Florenc Çapja dhe A.J., që akuzohen për ekzekutimin e dyfishtë të ndodhur paraditen e 15 gushtit 2012, ndërsa avokatët mbrojtës kishin paraqitur prova se ditën e ngjarjes klientët e tyre nuk ndodheshin në qytetin e Elbasanit, madje Çapja nuk ka qenë në Shqipëri.

Në kohën kur Ervis Bardhi ka qëlluar për vdekje Gentian Beqirin, dy policët që ishin të planëzuar me shërbim për ta mbajtur nën mbikëqyrje, duke qenë se ai ishte në “Arrest shtëpie”, nuk ndodheshin në vendin e shërbimit. Bëhet fjalë për efektivët e Komisariatit të Elbasanit, Sami Derstila dhe Neshat Budani. Fillimisht ata janë marrë në hetim për vrasje në rrethana cilësuese, por më pas është arritur në përfundimit se ata kishin konsumuar vetëm veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Por, në kohën kur janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, për t’i shpëtuar përgjegjësisë, kanë vendosur të gënjejnë e të tregojnë ngjarjen sikur ndodheshin në sheshpushim të pallatit dhe kanë parë dy persona të ngjiteshin e të hynin në banesë.

Të dy efektivët e Policisë kanë deklaruar se gjatë kohës që ishin në Polici duke u marrë në pyetje për ngjarjen, u është kërkuar që të identifikonin autorët e mundshëm, duke u treguar disa fotografi, por duke ua imponuar që të identifikonin si autorë Arben Jaçen dhe Florenc Çapjan.

Më pas, ata me qëllim sigurimin e provave, është realizuar përgjimi ambiental i dy efektivëve Derstila dhe Budani. Nga biseda që kanë bërë, dëgjohej se si ata hamendësonin se si mund të kishte ndodhur ngjarja, që derën mund ta kishte hapur Nezir Beqiri. “Ç’u banë këta Çapallarët, që po iu banë nuk paska shtet”, dëgjohet duke i thënë kolegut Sami Derstila.