Transmetuar më 16-06-2021, 16:36

Ylli i Francës, Paul Pogba ka thënë se e fal mbrojtësin e Gjermanisë, Antonio Rudiger, për kafshimin që i bëri në shpinë gjatë ndeshjes së të martës, në “Euro 2020”. Francezi nuk dëshiron që shoku i tij të pezullohet nga UEFA.

Të dy lojtarët patën fërkime afër fundit të pjesës së parë, me përsëritjet televizive që treguan se mbrojtësi i Chelsea e kafshoi në shpinë Pogba. Mesfushori francez protestoi te gjyqtari, por nuk pati asnjë veprim nga VAR.

"Ne jemi miq, – tha Pogba. – Kjo nuk ishte asgjë e madhe. Unë mendoj se i keni parë fotografitë në TV, kjo çështje ka mbaruar, i përket së kaluarës.

Nuk jam duke qarë për kartona të verdhë apo të kuq, që mund të jepeshin për veprime të tilla. Ai më kafshoi paksa, por e mbyll këtu këtë temë. Ne njihemi prej kohësh.

E ndjeva pickimin në shpinë, i thashë gjyqtarit, por ai i merr vendimet. Dhe e mori vendimin. Nuk nxori asnjë karton dhe mendoj se është më mirë kështu. Nuk dua që ai të pezullohet për shkak të kësaj".

Incidenti gjeneroi shumë reagime në rrjetet sociale, me shumë njerëz që kujtuan një futbollist tjetër të përfshirë në kafshimë të tilla në të kaluarën, Luis Suarez. /fredi/noa.al