Transmetuar më 16-06-2021, 16:46

Rrëfimi i sinqertë i një vajze 7-vjeçare, i ka dhënë fund një makthi që përjetonin prej kohësh edhe dy vajza të tjera, në fshatin Erind të Gjirokastrës. Fqinji i tyre, njëkohësisht me lidhje krushqie me familjen e vajzave, përfundoi në pranga me akuzën e ngacmimit me qëllim shuarjen e epsheve.

“News24” raporton se V. M, ngacmonte tre vajza të mitura, të moshave 14, 8 dhe 7 vjeçare, dy prej të cilave, motra me njëra-tjetrën.

Më e vogla, ka treguar ditët e fundit në shtëpi gjithçka që i ndodhte, e më pas, dy vajzat më të rritura, që janë motra, kanë marrë zemër për të rrëfyer edhe ato se si ngacmoheshin nga 61-vjeçari.

Familjet e vajzave dhe të të dyshuarit, janë fqinje me njëra-tjetrën dhe kanë edhe lidhje krushqie mes tyre.

Duke nisur nga kjo lidhje, vajzat e mitura shkonin gjithmonë në shtëpinë e 61-vjeçarit qe punonte me transport mallrash në fshat.

I dyshuari mësohet se është vetë baba i tre fëmijëve të rritur dhe ajo që e bën më të rëndë, është se ai ka dhe vetë nip/mbesë. Megjithatë, në fshat banorët nuk e njohin si person problematik 61-vjecarin.

Policia ka nisur hetimet dhe pritet që i arrestuari të dalë në gjykatë në ditët në vijim. Ajo tha më herët se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër bënë ndalimin e 61 vjeçarit V. M., banues në Erind, Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ngacmuar tri vajza të mitura të moshës 14 vjeçe, 8 vjeçe dhe 7 vjeçe.