Transmetuar më 16-06-2021, 18:39

Gjykata Administrative rrëzon kërkesën për dëmshpërblim të familjarëve të ish-komisarit Artan Cuku, të cilët kishin kërkuar mbi 1 milion euro për vrasjen e tij, me pretendimin se ishte kërcënuar dhe më parë dhe shteti nuk kishte marrë masa.

Por kërkesa e tyre u rrëzua nga gjykata administrative me argumentin se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit me vrasjen e tij.

Artan Cuku, “Dëshmor i Atdheut” u vra duke hyrë në shtëpinë e tij më 8 Prill 2017. Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se shkak i vrasjes së tij ishte hakmarrja për shkak të detyrës në kohën që ka qenë drejtues në Vlorë.

Deri tani i vetmi që është pas hekurave për vrasjen është ekzekutori Mikel Shallari, i dënuar me 10 vite burg, ndërkohë që bashkëpunëtori dhe mbi të gjitha porositësi ende nuk është vendosur përpara drejtësisë.

Drejtësia shqiptare ngriti akuzën kundër Bledar Jambellit si porositës i vrasjes. Në bazë të hetimeve rezultoi se 38-vjeçari Jambelli e urdhëroi vrasjen e kryekomisarit për shkak se ai e kishte arrestuar në kohën kur mbante detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës.