Transmetuar më 17-06-2021, 07:15

Mjeku epidemiolog, Dr. Erion Dasho, drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt të Gjermanisë, vlerëson se përkundër shifrës zyrtare 2454, në të vërtetë në Shqipëri kanë humbur jetën jo më pak se 15 mijë qytetarë.

Pohimi i z.Dasho vjen pak ditë pasi INSTAT evidentoi se kishte disa mijëra persona të vdekur më 2020, më shumë se vitet e fundit.

Edhe autoritet shtetërore, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kanë pranuar deri diku se ka gabime në shifra.

Nga ana tjetër është pohuar se për të zyrtarizuar të vdekurit nga kovidi, përdoret një metodologji e tillë: Numërohen vetëm pacientë të vdekur pas shtrimi në spitalet kovid shtetërore të Shqipërisë, të cilët në ditën që kanë vdekur kanë rezultuar me tampon pozitivë.

Afërmendsh kjo metodë përjashton shumë viktima nga shifra zyrtare, duke përfshirë të vdekur edhe në spitale private brenda dhe jashtë vendit.

Dr. Erion Dasho shpreh keqardhjen për faktin sipas tij se gjatë pandemisë, Shqipëria arriti një rekord tragjik, atë të 15 mijë viktimave nga kovidi, të cilët vdiqën në shtëpi, në ambulanca, madje edhe në rrugë!

Për Dashon, ky numër viktimash e vendosi Shqipërinë në vendin e katërt në botë nga numri i të jetëve të humbura për banor!

Tani situata duket e qetë. Imunizimi i tufës mund të jetë arritur. Dasho thotë se Shqipëria ka dy muaj që ka arritur imunitetin e grupit dhe sot ndodhet në një pozicion unik, atë të vendit që ka vetëm 4.6 raste për 100,000 banorë në dy javë, ose 16 herë më pak se minimumi i vendosur nga Bashkimi Europian për të lejuar lëvizjen e lirë.

"Shqiptarët do të udhëtojnë në Europë! Vetëm mos harro të përmendësh se biletat për atje u paguan jo me lekë por me çmimin e tmerrshëm të mijëra jetëve të humbura për fajin tënd dhe të boratëve të tu…", thotë Dasho.

Por kjo fitore, vijon ai, erdhi mbi një kosto shumë të dhimbshme ku përfshihet edhe fakti që qytetarët harxhuan nga xhepi mbi 250 milionë euro për t’u trajtuar privatisht nga kovidi, ndërkohë që ndihmat qindra milionë euroshe të BE dhe donatorëve të tjerë nuk dihej se ku shkonin!" /klea/noa.al