Transmetuar më 17-06-2021, 12:05

Kompania farmaceutike gjermane CureVac, ka shënuar kthim të madh mbrapa në zhvillimin e vaksinës së saj kundër koronavirusit, ndërkohë që varianti indian Delta i këtij virusi vazhdon të rrisë shqetësimet në Angli dhe shtetet e tjera, pavarësisht shkallës relativisht të lartë të vaksinimit.

CureVac ka njoftuar dje se vaksina e saj me mRNA është 47 për qind efikase kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

CureVac është konsideruar kandidate kyçe në garën ndërkombëtare për miratim të vaksinave kundër koronavirusit, dhe rezultatet zhgënjyese kanë rritur dyshimet për furnizim me miliona vaksina për Bashkimin Evropian dhe vendet tjera, që kanë mbetur mbrapa në procesin e imunizimit.

Shefi ekzekutiv i kompanisë CureVac, Franz-Werner Haas, tha se kishin shpresuar për rezultate më të mira, ndonëse testimet do të vazhdojnë dhe shkalla e efikasitetit mund të ndryshojë ende.

BE kishte porositur 405 milionë doza nga kjo kompani dhe tani është e dëshpëruar pasi disa ekspertë të pavarur njoftuan se kjo vaksinë ka dështuar të funksionojë pavarësisht shpresës së kompanisë për ta zhvilluar sërishm

Në studim morën pjesë 40,000 vullnetarë nga Evropa dhe Amerika Latine ose 10 mijë njerëz më shumë se provat e çdo vaksine tjetër të dalë deri sot.

Kompania ka thënë se rezultatet sugjerojnë që vaksina është efektive te pjesëmarrësit e rinj, por ajo nuk është treguar shumë efikase për moshat mbi 60 vjeç.

Vaksinat e tjera më të shtrenjta sikurse ato të zhvilluara nga kompanitë Pfizer/BioNTech dhe Moderna, deklaruan se janë rreth 90 për qind efikase në luftimin e koronavirusit.