Transmetuar më 17-06-2021, 12:31

Policia e Durrësit njoftoi sot se ka finalizuar operacionin e koduar "Vazhdimi", për vënien në pranga të personave të përfshirë në një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2020.

Të arrestuarit janë Besian Xhixha, 30 vjeç, banues në Larushkë, Krujë dhe Enver Diva, 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras, Kurbin. Në videon që ju sjell noa.al shikoni momentet e prangosjes.

Ata shihen si bashkëpunëtorë të përfshirë në vrasjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2020, në tregun e makinave në Shkozet, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy vëllezër.

Policia tha se bazuar në provat e grumbulluara, mëngjesin e sotëm u organizua dhe u finalizua kapja e të dyshuarve.

Për këta shtetas, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje" , kryer në bashkëpunim dhe "Mashtrimi".

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar dhe siguruar mjetet për kryerjen e vrasjes së dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia.

Sipas hetimeve, të arrestuarit nga Fushë Kruja janë kontaktuar nga Nuredin Dumani dhe Talo Çela, të cilët iu kanë premtuar një shumë të madhe parash, që të vrisnin vëllezërit Haxhia.

Ata kanë pranuar që të kryenin vrasjen dhe i kanë ruajtur vëllezërit gjatë periudhës së pandemisë, kur pjesa më e madhe e njerëzve ishin në karantinë.

Ditën që ata kanë vendosur të vrisnin vëllezërit, njëri prej tyre, përkatësisht Enver Diva, ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Për rrjedhojë, ai u ka thënë Çelës e Dumanit se “nuk mund ta bëj vrasjen, se jam në karantinë, s’më lënë të dal”.

Kjo ka bërë që Talo Çela të kryejë vetë vrasjen, në bashkëpunim me Nuredin Dumanin, Altin Ndocin dhe Besian Xhixhën.

Motivi i vrasjes së dy vëllezërve Haxhia ishte konflikti mes tyre dhe Talo Çelës e Nuredin Dumanit, për lekët e grabitjes së Rinasit.

Nën drejtimin e SPAK-ut vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar. /ardi/noa.al