Transmetuar më 17-06-2021, 15:30

Banorët e zonës së ish Parkut të Autobusëve në Tiranë kishin më shumë se një vit që ankoheshin në polici se atje ishte bërë një vatër shitblerjeje dhe konsumi lëndësh narkotike.

Një grup policor u përfshi në hetim që zgjati 12 muaj dhe sot përfundoi me një operacion të koduar “Parku”.

Në pranga janë vënë 12 persona kurse janë shpallur në kërkim 6 të tjerë të përfshirë në veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Gjithçka nisi kur Komisariati i Policisë Nr. 2 Tiranë, mori shumë ankesa nga banorë të zonës së ish-parkut, të cilët shprehnin shqetësimin se ushtrohej aktivitet kriminal në tregtimin e lëndëve narkotike.

Në listën e të arrestuarve janë: D. Sh., 26 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”; F. P., 27 vjeç, J. H., 19 vjeç, I. G., 26 vjeç, D. B., 20 vjeç, J. C., 20 vjeç, O. D., 19 vjeç, F. S., 17 vjeç, L. D., 17 vjeç, F. P., 22 vjeç dhe D. M., 23 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim; A. Ll., 26 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Po në kuadër të procedimit penal janë shpallur në kërkim shtetasit: A. Ç., 27 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”; E. M., 22 vjeç, R. P., 25 vjeç dhe A. M., 19 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim; F. S., 27 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzim krimi”; R. D., 21 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Moskallëzim krimi”.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasit D. Sh. (i ndaluar) dhe A. Ç. (i shpallur në kërkim), në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 06.04.2021, në rrugën “Ndre Mjeda”, i kanë djegur 2 automjete shtetasit Sh. K.

Gjithashtu, po në kuadër të këtij procedimi penal, më datë 16.02.2021 është finalizuar operacioni “KONTAKT”, si rezultat i të cilit janë arrestuar 3 shtetas: D. H., A. B. dhe I. P., ndërsa më datë 03.08.2020 është arrestuar shtetasi M. B.

Mësohet se të dyshuarit e zhvillonin aktivitetin e tyre në zonën ish-parkut, në rrugën “Ndre Mjeda” dhe në rrugën “Frosina Plaku”.

Dinamika lidhet dhe me atë që ndodhi një vit më parë, kur policia mori një denoncim nga ish-drejtori i Policisë së Beratit, Shkëlqim Kokonozi, për djegien e dy makinave.

Policia atëhetë identifikoi Deivid Shuaipi dhe Arnaldo Çiçaj si autor. Por, në grumbullimin e pamjeve filmika, janë zbuluar se këta persona merreshin edhe me shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Për këtë arsye, shtuar ankesat e banorëve, policia e shtriu hetimin edhe për trafikun e lëndëve narkotike, duke përdorur edhe dronë e vëzhgim në terren me agjentë, prej ku zbulua edhe personat e tjerë të implikuar në trafikun e drogës.