Shembja e Teatrit Kombëtar, pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Transmetuar më 17-06-2021, 16:23

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pritet të japë sot vendimin mbi ligjshmërinë e shembjes së Teatrit Kombëtar.

Pas mbi 10 orë diskutimesh e debatesh dje në seancë, trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendimin.

Përballë në këtë çështje janë qeveria dhe Bashkia e Tiranës nga njëra anë dhe presidenca dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit nga ana tjetër.

Në seancën e të mërkurës u bë gjykimi i themelit të çështjes. Presidenti dhe Aleanca kërkuan shfuqizimin e ligjit special të 2018-ës, të VKM së transferimit të pronës së 2020- ën dhe vendimit të Bashkisë për shembjen e Teatrit.

Anëtarët e kushtetueses dëgjuan pretendimet e 4 palëve, pjesë e këtij gjykimi, të cilët administruan provat. Të gjitha palët e përfshira në gjykim mbrojtën qëndrimet e tyre duke i argumentuar ato.

Për një vendim kundër shembjes së Teatrit Kombëtar votimi duhet të jetë 5 me 2 në favor, ndërsa 4 me 3 i jep të drejtë qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për shembjen e godinës.

Sipas rregullores, Gjykata Kushtetuese duhet të japë një vendim brenda 24 orëve për këtë çështje.