Transmetuar më 17-06-2021, 19:25

Policia greke ka njoftuar se urdhri i ndalimit është kthyer në urdhër arresti për Babis Anagnostopoulos, bashkëshorti i Karolinës, 20-vjeçares që u gjet e vdekur në banesën e saj në lagjen Glika Nera, të Athinës.

Sipas shefit të ekipit që hetoi ngjarjen, të dhënat që e lidhin bashkëshortin me vrasjen janë të shumta dhe të vërtetuara nga autoritetet.

Burime policore thanë se autori e kishte kuptuar se laku i autoriteteve ishte shtrënguar shumë rreth tij dhe sapo është njoftuar një ditë më parë se duhet të paraqitej në drejtorinë e policisë së Atikës për sqarime të mëtejshme, kishte kërkuar pak orë kohë për të shkuar në ceremoninë e të 40-tave të viktimës, por edhe të çmallej me të bijën 11 muajshe, për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë në vazhdim.

I sigurt se loja e tij kishte marrë fund dhe autoritetet do ta arrestonin, autori i dyshuar i krimit që tronditi Greqinë, sapo përfundoi ceremonia përkujtimore, zgjati duart ku pak minuta më vonë agjentët do t’i kalonin prangat për ta hipur në helikopterin e policisë dhe për ta dërguar në qelinë e sektorit kundër krimit në drejtorinë e policisë së Atikës.

Burime ekskluzive i thanë “Top Channel” se fillimisht Anagnostopolus nuk ka pranuar asnjë lidhje me ngjarjen, por është “thyer” në vazhdim, sapo ekspertët e policisë  i vunë përpara provat, të cilat nuk mundi të justifikojë.

Në vazhdim, ai ka dhënë variantin e tij për ngjarjen dhe ka thënë se nuk donte ta kryente aktin, por çdo gjë ishte një aksident fatal. Kohët e fundit çifti kishte episode të ndryshme mosmarrëveshjesh mes njëri tjetrit, por shkaqet e tyre ende nuk dihen.

Përse Babis Anangnostopoulos vrau bashkëshorten?

Çfarë ndodhi në banesën e çifitit? Përse Babis Anangnostopoulos vuri në alarm gjithë policitë e vendeve të rajonit, dhe vendeve të Kaspikut në kërkim të bandave të grabitësve?

Ngjarja e Glika Nera në Athinë ishte ndoshta e vetmja ngjarje kriminale në Greqi, kur policia dhe bandat të cilat nuk pranonin se ishin anëtarët e tyre që kishin kryer këtë krim makabër, bashkëpunuan mes njëri-tjetrit duke vënë në dispozicion të policisë informacionet e nevojshme për piketimin, hetimin dhe gjetjen e autorit të ngjarjes.

Çdo gjë do të zbardhet prej deklaratave që vetë i dyshuari do t’i sqarojë këtë herë përpara gjykatësve.