Transmetuar më 17-06-2021, 22:03

Janë plot ngjyrë, dhe krijojnë simpati në plan të parë kur një person i paditur i vëren, në qiejt e Rripit  të Gazës.

Por në fakt, tullumbacet në atë zonë nuk sjellin lumturi për fëmijët, por pasoja potencialisht shkatërrimtare.

Bëhet fjalë për një nga armët me kosto të ulët të përdorura nga organizata Hamas në kufirin midis Palestinës dhe Izraelit.

Tullumbace të mbushura me helium, të lidhura me eksploziv ose pajisje që në kontakt më tokën marrin flakë. Të shtyrë nga era e Mesdheut, ato përfundojnë gjithmonë në tokë izraelite.

Armë me kosto të ulët, por që kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi. Sipas Tel Avivit, rreth 4200 hektarë ara janë shkrumbuar nga viti 2018. Fatmirësisht, pa shkaktuar viktima, deri më tani.

Por situata mund të ndryshojë, edhe për përgjigjen izraelite, që deri tani kishte munguar në raste të tilla. Kryeministri i ri Naftali Benneth përkrah një qasje më radikale ndaj sulmeve që vijnë periodikisht nga Gaza.

Si ministër i Arsimit në 2019, ai deklaroi se ushtria duhet të qëllonte për vdekje ata që sulmonin territorin izraelit, edhe me pajisje “shtëpiake” si  tullumbacet.

Dje ishte sulmi i fundit i tullumbaceve, dhe burime të ministrisë së Mbrojtjes pohuan se ai nuk do të mbetet pa përgjigje ushtarake.