Transmetuar më 18-06-2021, 01:17

Pas 16 vitesh dhe 22 trofesh të fituar, Sergio Ramos përshëndetet me Real Madridin. Ai e bëri këtë përmes një konference të gjatë për shtyp, të hapur nga një video emocionuese, që gjurmonte gëzimet dhe sukseset e eksperiencës së gjatë me fanellën merengues, së bashku me presidentin Florentino Perez.

"Ka ardhur momenti, një nga më të vështirët e jetës sime. Një nuk isha përgatitur për t’i thënë lamtumirë këtij klubi – thotë ish-kapiteni tani, ndërsa shpërthen në lot.

Mbërrita këtu kur isha vetëm një fëmijë, në moshën 19 vjeç. Dua t’i them faleminderit në radhë të parë familjes time, që ka qenë gjithmonë me mua, në të mirë ose në të keq, por edhe klubit tim; presidentit për gjithë afeksionin, shokëve të mi të skuadrës, trajnerëve, të gjithë punëtorëve të Real Madridit.

Ky klub është një familje e vërtetë për mua. Është e pashmangshme që të mos emocionohem, jam këtu prej 16 vitesh. Sigurisht, gjithashtu falënderoj tifozët, gjithmonë do t’i mbaj në zemrën time. Do të doja t’i përshëndesja në “Bernabeu”.

Këto 22 tituj ishin rezultat i sakrificave të mëdha dhe profesionalizmit. Një udhëtim unik në jetën time mbaron, asgjë nuk do të jetë si kjo që përjetova te Real Madridi.

Tani do të përballem me një sfidë të re, me vullnetin për të demonstruar përsëri cilësitë e mia dhe për të shtuar tituj në palmaresin personal. Kjo është vetëm një lamtumirë, sepse herët a vonë do të kthehem".

Nga ana e tij, presidenti Florentino Perez nënvizoi: “Sergio Ramos, ti je një legjendë e Real Madridit. Kjo ceremoni është plot ndjenja dhe emocione, për të gjithë tifozët e Realit, si dhe për mua. Sot nuk është një ditë e lehtë, me Sergio kemi jetuar shumë vite.

Unë kurrë nuk do ta harroj 8 shtatorin 2005, në të cilin Ramos u paraqit si lojtar i ri i Real Madridit. Ishte nënshkrimi im i parë spanjoll, në fund të një negocimi që nuk qe aspak i lehtë.

Ne tashmë e dinim se Sergio do të bënte histori këtu, jam jashtëzakonisht krenar për gjithçka ka arritur me këtë fanellë. Sergio Ramos, ju jeni një legjendë e Real Madridit. Ju keni fituar respektin dhe admirimin e të gjithë atyre që e duan futbollin.

Faleminderit për gjithçka na keni dhënë, e keni mbrojtur Real Madridin në fushë, duke i dhënë shpirtin tuaj në çdo ndeshje. Kudo që të shkoni, ju do të jeni gjithmonë njeriu i “La Décima”.

Ju keni fituar 22 tituj dhe, së bashku me Marcelo, jeni madridasi me më shumë trofe në historinë tonë, i tejkaluar vetëm nga Gento. Ju gjithmonë do të jeni një nga kapitenët tanë të mëdhenj. Ne ju falënderojmë për gjithçka keni bërë te Real Madridi.

Ju keni qenë një person shumë i veçantë për mua. Unë dua që të jeni të lumtur dhe ta dini se kjo do të jetë gjithmonë shtëpia juaj. Ju do të jeni një nga ambasadorët e mëdhenj të Realit”. /fredi/noa.al