Transmetuar më 18-06-2021, 05:36

Të paktën 13 persona janë qëlluar me armë dhe një prej tyre humbi jetën për shkak të një sulmi të pazakontë nga një person që hapi zjarr nga makina e tij në drejtim të kalimtarëve.

Ngjarja ndodhi në Phoenix, Arizona, Shtetet e Bashkuara. Policia njoftoi se atentatet u kryen në tre qyteza, Glendale, Peoria dhe Surprise. Në lagjet e tyre u krijua një situatë paniku që u deshën orë të qetësohej.

Dëshmitarët thanë se një person që udhëtonte me një makinë Suv qëlloi me armë ndaj kalimtarëve, cilindo që pikaste të ecte në rrugë apo të hynte e dilte nga banesat.

Ngjarja zgjati 90 minuta dhe itinerari i SUV derisa u ndal nga policia përshkoi tre qyteza të Phoenix dhe tetë lokacione ku u qëlluan 13 persona me pasojë vdekjen e njërit dhe plagosjen e të tjerëve.

“Nuk e dimë shkakun dhe nuk kemi asnjë motiv apo ide se çfarë e shtyu autorin të bënte këtë gjë”, tha një zyrtar policor, pas arrestimit të të dyshuarit.