Transmetuar më 18-06-2021, 12:34

Qytetarët duhet të bëjnë kujdes sepse Bashkimi Evropian nuk ka marrë asnjë vendim për të rihapur kufijtë e vendeve të saj për shqiptarët. Në të vërtetë ekziston vetëm një rekomandim nga Brukseli, i cili nuk ka fuqi vendimmarrëse, konfirmon noa.al nga burime të huaja diplomatike.

Edhe nga ministria shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashme, pohojnë të njëjtën gjë. Ata pohojnë se BE ka rekomanduar një listë vendesh, mes tyre Shqipëria, e cila u rekomandohet shteteve anëtare të BE. Janë vetë shtetet që vendosin për çdo vend tjetër nëse do të zbatojnë ose jo këto rekomandime.

Por çfarë ka ndodhur?

Qeveria shqiptare u nxitua të shpallte dje se BE hapi kufijtë, edhe pse e dinte se ishte vetëm një rekomandim. E dinte po ashtu mirë se janë vendet anëtare që vendosin secila më vete. E po ashtu e dinte se rekomandimi jepet vetëm për të vaksinuarit plotësisht dhe dy javë pas dozës së dytë e për më tepër, vetëm me vaksinat perëndimore të miratuara nga EMA.

Pasojat ishin direkte. Disa njerëz që dje, por edhe sot, i janë drejtuar vendkalimeve kufitare kryesisht tokësore dhe detare për të dalë nga Shqipëria.

Mesazhi më lart i nxiti që të besojnë se kufijtë janë hapur vërtet, madje që dje që doli postimi i Ramës.

Edhe mediat nuk ishin të qarta dhe dolën me njoftime të ngjashme që konfuzuan shqiptarët duke nxitur disa prej tyre të marrin rrugën e më pas të kthehen mbrapsht të zhgënjyer.

Në këto kushte, MEPJ u detyrua sot të dilte me thirrjen që "qytetarët shqiptarë, të bëjnë kujdes maksimal pasi vendet e BE, mund të kenë protokolle specifike edhe pas rekomandimit të fundit". /noa.al