Transmetuar më 18-06-2021, 15:24

Këshilli i Ministrave i rekomandon organeve të akuzës që të nxjerrin përballë drejtësisë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vettingu dhe që fshehën pasuritë.

“Me një rëndësi të veçantë, në kuadër të luftës kundër korrupsionit, duhet vendosur në hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar për shkak të vetingut, qoftë me dorëheqje, apo me vendime shkarkimi.

Të mos harrojmë që pritshmëritë e publikut janë që çdo gjyqtar ose prokuror që ka abuzuar me detyrën dhe është pasuruar duke e shpërdoruar atë, në kurriz të fatkeqësive dhe halleve të qytetarëve shqiptarë, të vetmin fat që duhet të ketë, është dënimi penal dhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme, dhe jo vetëm shkarkimin nga detyra”, tha sot Gjonaj gjatë aktivitetit ku u diskutuan rekomandimet e qeverisë për luftën ndaj kriminalitetit.

Sipas Gjonajt kjo është ajo çfarë pret shoqëria shqiptare por edhe një kërkesë e institucioneve ndërkombëtare.

“Besimi i qytetarëve në strukturat e shtetit, është i varur më së pari në efektivitetin e prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit; sa më e suksesshme kjo luftë, sa më shumë autorë të veprave penale që do të vendosen pas hekura, aq më i fortë do të jetë besimi i qytetarëve në forcën parandaluese dhe ndëshkuese të shtetit.

Është detyra e secilit prej jush, të merrni çdo masë të nevojshme, që të garantoni përmbushjen e këtyre rekomandimeve, prioritet i yni, pritshmëri e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, tha Gjonaj.

Nga ana tjetër ministrja Gjonaj risolli në vëmendje se DASH ka vënë theksin tek zbatimi me efektivitet i ligjit të Reformës në Drejtësi.

Ndërkohë Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i konsideroi "sfidë" vlerësimin e performancës së prokurorive për zbatimin e rekomandimeve të qeverisë për luftën ndaj kriminalitetit 2021.

“Nga ana jonë u forcua mekanizmi i monitorimit në drejtim të vlerësimit periodik të masave të marra nga prokuroritë dhe rezultateve të tyre.

Duhet të theksoj këtu se për sistemin e prokurorisë mbetet një sfidë ndërtimi i një sistemi efikas të vlerësimit të performancës së zyrave në këtë aspekt ndaj objektiv mbetet standardizimi i sistemit të vlerësimit të  masave të ndërmarra në drejtim të zbatimit të rekomandimeve nga prokuroritë, si komponent i rëndësishëm i vlerësimit të punës së drejtuesve me ndikim të drejtpërdrejtë në performancën e organit të prokurorisë”, nënvizoi Çela.

Çela u tërhoqi vëmendjen drejtuesve të prokurorive për t’i vlerësuar maksimalisht rekomandimet dhe të hartojnë plane të qarta veprimi për ndjekjen e tyre.