Transmetuar më 18-06-2021, 21:13

Vlora është nga sot me 22 plazhe private më pak pasi ato janë mbyllur nga autoritetet shtetërore sepse u gjetën pa roje bregdetare. Në galeri shihni plazhet e bllokuara.

Policia Bashkiake në Vlorë tha se nga një kontroll që ushtroi në vijën bregdetare të jugut gjeti 22 plazhe ku mungonin kullat e vrojtimit me roje.

Ata kanë për detyrë që të qëndrojnë mbi këto kulla duke kontrolluar gjithë kohës për persona që mund të rrezikohen në det.

Gjithashtu ata duhet të japin ndihmë të parë të menjëhershme kur është e nevojshme.

Rojet bregdetare duhet të vendosin flamujt mbi kulla duke paralajmëruar nëse deti paraqet rrezik ose jo gjatë ditëve të plazhit.

Pas bllokimit, autoritetet kanë kërkuar që pronarët e këtyre plazheve private të marrin masa për vendosjen e rojeve bregdetare për të bërë të mundur rihapjen e këtyre plazheve pasi ky është një detyrim ligjor.

Kryetari i bashkisë Vlorë, Dritan Leli tha sot se siguria e jetës së gjithësecilit është prioritet dhe shtoi:

"Stacionet e vrojtimit dhe rojet bregdetare janë kusht për çdo plazh, prandaj, tregohuni të kujdesshëm që të mos mungojnë në plazhet që frekuentoni".

Ai tha se gjatë gjithë këtyre ditëve Policia Bashkiake ka qenë në aksion për një fushatë sensibilizuese dhe ka bllokuar disa plazhe ku mungonin rojet, duke paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë.

Ndërkaq disa pushues raportojnë se rojet bregdetare mungojnë edhe në plazhet publike. /noa.al