Transmetuar më 19-06-2021, 02:41

Qeveria Britanike do të lejojë hyrjen pa detyrim karantine të 2.500 personave VIP për gjysmëfinalet dhe finalen e Kampionatit Europian në “Wembley”, me synimin për të shmangur ndryshimin e vendit të ndeshjeve kulmore të kompeticionit të kësaj vere.

UEFA e kërcënoi dje qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar se mund ta spostojë në Budapest finalen e madhe, nëse nuk ndryshojnë rregullat për karantinën e detyrueshme.

Sipas gazetës “The Times”, ministrat britanikë tashmë janë në bisedime për t’i paraqitur lehtësirat e nevojshme UEFA-s, që do të lejojnë hyrjen e rreth 2.500 njerëzve pa nevojën e izolimit të detyrueshëm 10-ditor në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky hap do të shuante kërcënimet e UEFA-s për t’i zhvendosur gjysmëfinalet dhe finalen e turneut në Budapest (Hungari), ku përveç kapacitetit të plotë në stadium, nuk ka pengesa për hyrjen në vend.

Imponimi i kësaj karantine 10-ditore tashmë nënkuptonte që “Wembley” humbi finalen e Champions League, e cila u transferua në Porto, pavarësisht se u luajt nga dy skuadra angleze. /fredi/noa.al