Transmetuar më 19-06-2021, 10:32

Janë “peshq të vegjël” në hierarkinë e futbollit shqiptar, por kanë përfunduar në “rrjetën” e SPAK, strukturës më eprore të drejtësisë në vendin tonë.

Bëhet fjalë për një drejtues klubi të Kategorisë së Dytë, Përmeti, dhe një arbitër në kategoritë inferiore, të cilët janë vënë në pranga për paracaktim rezultatesh sportive, vepër penale e parashikuar në kodin penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tha sot se ka kryer hetimedhe ka urdhëruar arrestimin e Qerim Ruçi, arbitër i ndeshjeve të futbollit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Po ashtu u prangos edhe Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.