Transmetuar më 19-06-2021, 12:38

Në funksion të ndeshjes së nesërme kundër Uellsit, e cila mbyll fazën e grupeve të Kampionatit Europian për të dyja kombëtaret, trajneri i Italisë, Roberto Mancini, dha një intervistë për mikrofonët e “Rai”. Shumë tema u prekën, përfshirë atë të rotacionit të mundshëm kundër Uellsit: "Do të jetë ndeshja e tretë në 10 ditë dhe ato të mëparshmet kanë qenë shumë të ngarkuara. Dikush është pak më i lodhur dhe duhet të pushojë. Kjo është hera e vetme që mund të ndryshojmë diçka, duke ditur që rezultati nuk duhet të ndryshojë".

Ndër lojtarët që mund të kenë një shans nga minuta e parë është Marco Verratti, i cili për shkak të dëmtimit nuk luajti në dy ndeshjet e kaluar: "Verratti mund të luajë, është e qartë se forma e tij nuk është aq optimale sa e atyre që kanë luajtur për javë të tëra, por ai e kompenson këtë gjendje me cilësitë teknike. Do të shohim nëse do të luajë nga fillimi apo jo, por është gati. Chiesa mund të luajë në të gjitha rolet ofensive, përveç qendërsulmuesit".

Në fund, Mancini pastron dyshimet për një qëndrim të mundshëm më pak të vendosur nga ana e ekipit të tij, duke pasur parasysh kalimin e turit, tashmë të siguruar: "Unë i kërkoj ekipit të vazhdojë të luajë si gjithmonë. Të jemi ofensivë dhe t’i bëjmë gjërat mirë, sepse është një ndeshje e rëndësishme. Ne duam të fitojmë dhe ta përfundojmë grupin të parët. Do të jetë e vështirë, sepse duhet të jemi në fushë në orën 18:00, në një mot më të nxehtë".