Transmetuar më 19-06-2021, 14:46

Christian Eriksen pësoi një arrest kardiak në fushë, teksa po luante ndeshjen danimarkë-Finlandë. Mbarë bota u trondit nga ato pamje, u solidarizua me mesfushorin e Interit. Për fat, gjithçka u mbajt nën kontroll nga mjekët, futbollisti ka dalë nga spitali dhe është në shtëpi. Ka pasur kolegë të tij që, fatkeqësisht, nuk ia kanë dalë. Ata kanë humbur jetën në fushat e blerta. Ne po njohim me disa raste:

– Mohamed Abdelwahab, një mbrojtës egjiptian vdiq si rezultat i një arresti kardiak gjatë një seance stërvitore në vitin 2016.

– Në vitin 2012, Jaouad Akaddar, lojtar futbolli nga Maroku, vdiq pas ndeshjes si rezultat i atakut kardiak.

– Marc-Vivien Foé, futbollist profesionist nga Kameruni ra pa ndjenja në minutën e 72-të të ndeshjes kundër Kolumbisë, gjatë Kupës së Konfederatave 2003. Reanimimi i tij ishte fatkeqësisht i pasuksesshëm dhe autopsia zbuloi një sëmundje të muskulit të zemrës (kardiomiopati hipertrofike).

– Phil O’Donnell, mesfushor skocez, pësoi arrest kardiak gjatë ndershjes kundër Dundee United në vitin 2007. Autopsia zbuloi insuficiencë kardiake të ventrikulit të majtë.

Specialistët tregojnë cilat janë shkaqet e mundshme të “Vdekjes së Papritur Kardiake” te sportistët dhe jo vetëm:

– Shkaku më i zakonshëm i VPK-së gjatë ndeshjeve është kryesisht kardiomiopatia hipertrofike (15-25% e rasteve)

– Shkaqe të tjera janë edhe kardiomiopatia aritmogjene e ventrikulit të djathtë, anomalitë e lindura të arterieve koronare, sëmundjet e valvulave (psh. prolapsi i valvulës mitrale), infeksionet dhe infarkti i miokarditit.

– Në raste të tjera, edhe kur nuk gjenden anomali strukturore të zemrës, ekzistojnë situara që provokojnë aritmi malinje ventrikulare si: sindromi i zgjatjes së QT, sindromi Brugada, sindromi Wolf Parkinson White, si dhe të tjera kanalopati. Shumica e këtyre anomalive janë vërtet të vështira për t’u diagnostifikuar pavarësisht kontrolleve kardiake rutinë, sepse në të tilla raste mund të nevojiten ekzaminime më të hollësishme.

– Për shembull, EKG-ja e thjeshtë mund të paraqitet normale në 5-10 % të sportistëve, edhe pse ata kanë një kardiomiopati hipertrofike, si dhe në 1/3 e pacientëve me sindromin e zgjatjes së QT. Atëherë, gjatë një kontrolli të zemrës, sa larg duhet të shkojmë me ekzaminimet kardiake? Në fund të fundit, sado të thelluara të jenë këto ekzaminime (rezonanca kardiake, studimi elektrofiziologjik, koronarografia), asnjëherë nuk do të mund të shmanget plotësisht Vdekja e Papritur Kardiake.