Transmetuar më 19-06-2021, 14:08

Një avion tip L-410 është rrëzuar disa minuta pas ngritjes nga aeroporti Tanay në lokalitetin Kemerovo në Rusi. Për pasojë, nëntë persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Në bordin e aeroplanit ndodheshin 24 persona, dy pilotët dhe parashutistë. Aeroplani u ngrit pa probleme nga aeroporti në zonën e Siberisë, por disa minuta më vonë piloti dërgoi një sinjal se njëri nga motorët ishte fikur.

Sipas shërbimeve mjekësore që citon agjencia ruse e lajmeve TASS, mes 15 të plagosurve, katër ishin në gjendje të rëndë dhe 11 në gjendje të lehtë.

Aeroplani i rrëzuar i përket Kompanisë së Ndihmës Vullnetare të Ushtrisë Ruse, Forcave Ajrore dhe Marinës (DOSAAF), ndërsa mbante parashutistë nga qendra e trajnimit Kuzbass.