Transmetuar më 19-06-2021, 15:18

Në kohën kur të gjithë janë sy e veshë nga Kampionati Europian, mesfushori i Milanit, Franck Kessie ka vendosur të djegë shaminë e beqarisë. I ashtuquajturi “Presidenti” te kuqezinjtë ka shkuar në altar me të dashurën, duke zyrtarizuar martesën. Ceremonia është zhvilluar në Bregun e Fildishtë, në prani të familjes dhe të afërme, si dhe dy bashkëlojtarëve të kombëtares: Gervinho dhe Bailly.

Ndërkohë, në Itali po e pret kontrata e re me Milanin. Në qershor të vitit të ardhshëm ai del lojtar i lirë, nëse nuk rinovon, ndaj drejtuesit e klubit po nxitojnë “ta prangosin” lojtarin e tyre të shkëlqyer, siç u dëshmua edhe në sezonin e fundit.

Në prill mori një ofertë fillestare prej 4 milionë € në vit nga Paolo Maldini, por agjenti i tij ka kërkesa më të mëdha. Konkretisht, synon 5.5 milionë € në vit. Palët do të ulen sërish në bisedime për të gjetur marrëveshjen e duhur.