Transmetuar më 19-06-2021, 15:48

Angli-Skoci nuk u luajt vetëm në terrenin e “Wembley”. Policia Metropolitane e Londrës arrestoi 30 tifozë të premten për grindjet që lindën nga derbi i zjarrtë britanik. Tifozët skocezë mbërritën në Londër në mëngjes dhe prodhuan, së bashku me anglezët, incidente si në qendër të kryeqytetit anglez, ashtu edhe në periferi të “Wembley”, ku u luajt ndeshja, e cila përfundoi me barazimin 0-0.

Policia tha se arrestimet u kryen për dhunë mes tifozëve, të cilët kishin pirë alkool dhe drogë, si dhe sulme ndaj forcave të rendit, mosbindje publike dhe sharje racore. Në përgjigje të incidenteve që mund të ndodhin gjatë turneut, teksa Londra pret tetë ndeshje të Europianit, policia metropolitane ka vendosur një patrulla të veçanta në zona të ndryshme të qytetit për të garantuar sigurinë publike.