Transmetuar më 19-06-2021, 16:03

Një aksident ka ndodhur në Elbasan-Bradashesh mesditën e sotme me pasojë plagosjen e dy personave, mes tyre një e mitur.

Dy automjete janë përplasur kokë më kokë me njëra-tjetrën, dyshohet për shkak të shpejtësisë së lartë siç shihni foton.

Siç raportohen nga vendngjarja, nga përplasja kanë mbetur të plagosur dy persona, një me gjymtyrë të thyera dhe një tjetër 15-vjeçare.

Duke folur mbi ngjarjen policia tha se në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, mjeti tip "Benz", me drejtues shtetasin E.K., 62 vjeç, banues në Tiranë, është përplasur me mjetin tip "Toyota " me drejtues shtetasin Sh.B., 36 vjeç, banues në Elbasan dhe me mjetin tip "Audi" me drejtues shtetasin J.Sh., 43 vjeç, banues në Elbasan.

Si pasojë e përplasjes është lënduar drejtuesi i mjetit "Benz" dhe një fëmijë i cili ishte pasagjer në mjetin tip "Audi", të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendgjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit.