Transmetuar më 20-06-2021, 08:20

Një histori e denjë për film, një skenar që përfshin dhjetë ditë intensive, nisin me vjedhje, e më pas prapë vjedhje, vazhdojnë me përplasje njerëzish në rrugë dhe vijon me zhdukje nga vendngjarja për ti shpëtuar prangave të policisë. Bie në pranga duke shijuar diellin dhe detin në plazh, por nuk mbaron këtu, arrestohet dhe e dashura që rri me ty.

Historia ka si protagonist 22 vjeçarin nga Durrësi, Endri Zaja.

Aksidenti që hapi telashe

Pasditen e 15 qershorit, në 19.45, Endri Zaja po kalonte me një makinë në lagjen nr.11 në Durrës, kur mori para një grua italiane që u plagos.

Menjëherë pas aksidentit, i riu u largua nga vendngjarja. Më tej, gruaja e plagosur, një 74 vjeçare italiane, u dërgua në spital.

Dy ditë më vonë, Endrit Zaja u identifikua si autor i aksidentit dhe u shpall person në kërkim nga policia e Durrësit. Ai u vu nën akuzë se, duke drejtuar mjetin tip "Toyota", ka aksidentuar italianen A. G., 74 vjeçe dhe më pas është larguar nga vendngjarja.

Ditën e shtunë, Endri Zaja kishte shkuar në plazh. Siç shihni foto, ai u gjet dhe u prangos nga policia pikërisht teksa po bënte plazh.

Por kjo ngjarje ishte vetëm vazhdimi pasi i riu durrsak ishte i shpallur në kërkim si autori kryesor i 2 vjedhjeve në Durrës.

Kështu më 10.06.2021, në Kameras, Durrës, dyshohet se ka vjedhur në dyqanin e shtetases V. M., një sasi vlere monetare dhe disa paketa cigare.

Më 14.06.2021, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, dyshohet se ka vjedhur në marketin e shtetasit M. M.

Tani, djali përballet me tre akuza për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor", "Largimi nga vendi i aksidentit" dhe "Vjedhja".

Por policia nuk është ndalur këtu. Ajo njoftoi dje në mbrëmje se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisaristin e Policisë Durrës, në vijim të hetimeve të kryera arrestuan në flagrancë shtetasen A.B., 22 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit". /ardi/noa.al