Transmetuar më 20-06-2021, 11:43

Zbardhet ngjarja e ndodhur mengjesin e sotëm, në lagjen Nr.1, Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri biznesmeni 35 vjeçar Spiro Iliadhi dhe pushuesi nga Tirana, Mario J.

Dy vëllezërit A. C., 35 vjeç dhe V. C., 33 vjeç, si dhe 33 vjeçari tjetër, R. H., 33 vjeç, të tre banues në Tepelenë, janë sipas policisë, autorët e dyshuar të sulmit me armë zjarri.

Këta shtetas, rreth orës 03:50, në lagjen Nr.1, Sarandë, në afërsi të një lokali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasin S. I., 35 vjeç, banues në Sarandë dhe një kalimtar të rastit shtetasin M. J., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Noa.al raporton se dy të plagosurit ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe Spiro Iliadhit.

Nga ana e policisë po punohet intensivisht për kapjen e tyre, vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.