Transmetuar më 21-06-2021, 09:39

Të paktën gjashtë lojtarë të kombëtares së Kilit thuhet se ftonin prostituta që të bashkoheshin me ta në “Gran Hotel Odara”, ku skuadra po qëndron e grumbulluar gjatë “Copa America”, e cila po zhvillohet në Brazil.

Pas incidentit, drejtori teknik i ekipit, Martin Lasarte, pritet të japë ndëshkime të rënda për personat përgjegjës. Ka shumë gjasa që lojtarët e përfshirë në këtë incident të turpshëm të kthehen urgjent në Kili, duke u përjashtuar nga kompeticioni që po zhvillohet në vendin e Sambës.

Edhe pse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar në lidhje me incidentin, Jean Meneses, Arturo Vidal, Gary Medel, Pablo Galdames, Pablo Aranguiz dhe Eduardo Vargas janë lojtarët që dyshohet se kanë marrë pjesë në të tilla festa të ndaluara prej Covid-19, por edhe profesionalizmit që duhet të ketë një kombëtare futbolli, aq më tepër e angazhuar në fazën finale të “Copa America”.

Vetëm disa ditë më herët, para duelit të Kilit kundër Bolivisë, Medel dhe Vidal u dënuan me nga 30.000 gjobë nga “Conmebol”, pasi kishin ftuar në hotel një berber për t’iu prerë flokët. Diçka rreptësisht e ndaluar prej pandemisë.