Transmetuar më 21-06-2021, 09:53

UEFA nisi një hetim disiplinor për shiritin e kapitenit me ngjyrat e ylberit, të mbajtur nga Manuel Neuer në “Euro 2020”. Portieri dhe kapiteni i Gjermanisë, gjatë dy ndeshjeve të para Kampionatit Europian e ka bërë këtë veprim me vetëdije, në mbështetje të komunitetit LGBTQ +.

Sidoqoftë, sipas Federatës Gjermane të Futbollit, ky hetim është pezulluar, sepse nuk është konstatuar ndonjë simbol apo mesazh politik, por një gjest që mbron një kauzë shoqërore: "UEFA na ka informuar se e ka ndaluar hetimin për shiritin e kapitenit, të mbajtur nga Manuel Neuer. Në letër, shiriti me ngjyrat e ylberit vlerësohet si një shenjë e mbështetjes për diversitetin, çka konsiderohet një kauzë e mire, ashtu si lufta kundër racizmit".

Një zëdhënës i UEFA-s shtoi: "Ne e hetuam rastin në fjalë me kujdes dhe, duke marrë parasysh që Neuer po promovonte një kauzë të mirë, d.m.th. diversitetin, nuk do të përballet me procedura disiplinore”.

A është mbështetja LGBTQ + një çështje e “Euro 2020”? Po, kjo është bërë temë e madhe bisede edhe pas ngjarjeve në Hungari. Dy ndeshjet e Europianit në Budapest janë njollosur nga homofobia. Një banderolë u vërejt në turmën prej 60 mijë tifozësh në stadium, me një mesazh kundër komunitetit LGBTQ +.

Javën e kaluar, parlamenti kombëtar miratoi legjislacionin përkatës, që është interpretuar si një ligj kundër asaj që qeveria e liderit të krahut të djathtë, Victor Orban, e përshkruan si "propagandë LGBT". Ligji ndalon promovimin ose portretizimin e homoseksualitetit dhe ndryshimit të gjinisë.