Transmetuar më 21-06-2021, 11:40

Deri një vit më parë, në Gjermani ishte praktikisht një i huaj. Sot, Robin Gosens është heroi kombëtar gjerman. Një nga të paprekshmit e ekipit kombëtar, që fjalë për fjalë e shkatërroi Portugalinë e Cristiano Ronaldos. Dhe të mendosh që anësori i Atalantës, siç thuhet ekskluzivisht nga babai i tij për “SPOX”, mund të kishte filluar një karrierë krejt tjetër, jo si futbollist:

"Ai ishte pothuajse një oficer policie. Nuk i kaloi testet në ‘North Rhine Westphalia’ sepse këmbët e tij ishin 0.5 mm të ndryshme, por në ‘Rheinland-Pfalz’ e kishte kaluar provën e parë. Unë i thashë djalit: Ju mund të provoni përsëri vitin e ardhshëm".

Sidoqoftë, gjërat do të shkonin ndryshe, me Gosens që do ta fillonte karrierën si futbollist larg Gjermanisë, në Hollandë. "Përvoja te Vitesse ishte pika e kthesës. Ai gjithmonë shkonte shumë mirë me shokët e skuadrës në Hollandë, por mentaliteti i tij ka mbetur i fshatit tonë", – sqaron babai.

Menaxheri i Gosens kujton se si ai nuk ishte akoma lojtari i sotëm: "Kishte një dinamizëm të madh, por mezi e përdorte këmbën e majtë. Nuk kishte besim të mjaftueshëm në pikat e tij të forta”. Bram Castro, shoku i Gosens, flet për pasionin e tij në studimin e psikologjisë: "Ndonjëherë, madje ulej në kabinën e trenit me laptopin e tij për të studiuar psikologji".