Transmetuar më 21-06-2021, 14:41

Heshtje, po flet “Don Fabio”. Capello jep një intervistë interesante për “AS”. Dhe si zakonisht, ish-trajneri i Milanit, Realit, Romës dhe Juventusit flet me të vërtetë për gjithçka, veçanërisht për përvojën e tij në stolin e “Los Blancos”, si dhe mënyrën se si u menaxhua lamtumira e Sergio Ramos.

Në “Bernabeu”, Capello fitoi dy tituj të La Liga-s, edhe pse u kritikua për lojë mbrojtëse. Diçka që “Don Fabio” nuk e pranon: "Është gënjeshtra më e madhe në botë! Këtë gjë filluan ta thoshin pas titullit tim të parë me Milanin, sepse i fituam të gjitha ndeshjet 1-0. Por, shikoni vitin tim të parë te Reali. Kam luajtur me vetëm një gjysmë sulmuesi të deklaruar, i cili ishte Redondo! Së bashku me të ishte Seedorf, një “playmaker”. Victor në njërin krah, Raul në tjetrin, Mijatovic dhe Suker përpara. Dhe këta janë lojtarë mbrojtës?"

Në përvojën e dytë te Real Madridi, ekziston gjithmonë për të një pyetje… fenomenale. Capello nxiton të përgjigjet: "Ne kishim probleme me disa lojtarë si Ronaldo. Kur e shitëm atë, ekipi ndryshoi. Roni është lojtari më i mirë që kam trajnuar ndonjëherë, bashkë me Van Basten. Sidoqoftë, në atë moment ishte i keq për ekipin. Unë doja ta ndihmoja dhe i thashë çfarë dëshiroja prej tij. Ronaldo duhej të dobësohej, sepse peshonte 96 kilogramë. Kështu që unë e pyeta: Sa peshoje kur fitove Botërorin në Kore dhe Japoni? Dhe ai m’u përgjigj se peshonte 84 kg. Unë i kërkova diçka të mesme: A mund të zbresësh të paktën në 90 kg? Por ai nuk mundi…"