Transmetuar më 21-06-2021, 16:57
Foto ilustruese

Policia në Korçë ka marrë kërkesa nga të dy palët në ngjarjen e Maliqit, bashkëshorti i të ndjerës dhe motra e saj, që viktima të zhvarroset.

61-vjeçarja F.M., ka ndërruar jetë më 17 qershor 2021. Burri i saj që ka të njëjtat iniciale, F.M., 63 vjeç, ka deklaruar se gjeti gruan të varur në shtëpi.

Pasi e gjeti gruan të vdekur, ai u mor me përcjelljen në banesën e fundit.

Por motra e viktimës nuk ishte më e sigurt. Ajo kishte dyshimet e saj. Ndaj dje vendosi ta denoncojë burrin e të ndjerës se nuk ka raportuar vetëvarjen e 61 vjeçares.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, filluan procedimin penal për shtetasin F. M., 63 vjeç, banues në fshatin Kolanec, Maliq, duke e akuzuar se nuk ka njoftuar organet e Policisë se në datën 17.06.2021, në banesë, ishte vetëvarur bashkëshortja e tij shtetasja F. M., 61 vjeçe, duke konsumuar elementë të veprës penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".

Në këtë pikë, ajo që pritet të zbardhë çdo gjë, është zhvarrimi i të ndjerës. Orët në vijim, trupi i saj do ti nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me një vetëvarje, apo krim.

Noa.al mëson se e ndjera ishte e sëmurë prej afro 20 vjetësh.