Transmetuar më 21-06-2021, 17:38

Policia në Sarandë ka vënë sot në pranga Spiro Iliadhin, 35 vjeçarin që pak ditë më parë u plagos në një qitje me armë zjarri ku u lëndua edhe një turist.

Spiro Iliadhi është pronari i lokalit, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri gjatë një konflikti me disa persona të tjerë.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në lagjen Nr. 1, Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri Spiro Iliadhi dhe Mario J., nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë ndalimi i 35 vjeçarit Iliadhi, banues në Sarandë.

Ndalimi i tij u bë pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë ndaj personave të tjerë të përfshirë në konflikt, njëri prej tyre i ndaluar, Redian Hadëri dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim nga Policia, vëllezërit A.C., 35 vjeç dhe V. C., 33 vjeç.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Spiro Iljadhi, pronari i lokalit “Bar Orange” i cili u qëllua me 20 plumba orët e para të mëngjesit të djeshëm, dikur replikonte me ish-kryeministrin Sali Berisha pasi ky i fundit kishte publikuar një denoncim ku thuhej se në lokalin e tij ishte prerë veshi i një turisti.

Iliadhi e mohoi akuzën dhe në replikë për Berishën tha se punon me ndershmëri dhe se mesazhi që kishte publikuar Berisha sipas Iljadhit ishte dërguar nga një rival i tij. Përgënjeshtrimin e bëri dhe Berisha duke publikuar mesazhin e Iiadhit.