Transmetuar më 21-06-2021, 19:32

Gruaja 50 vjeçare nga Shqipëria ka folur për mediat greke duke rrëfyer atë që vuajti pasi u rrëmbye në pallatin ku punonte si sanitare dhe u abuzua pesë orë rresht nga një burrë 35 vjeçar bullgar i cili ishte liruar nga burgu pasi ishte prangosur për përdhunimin edhe të një 22 vjeçareje.

Noa.al publikon dëshminë e gruas në Open Beyond TV ku ajo flet për orët e tmerrit. Shqiptarja tha se të shtunën në mëngjes kishte shkuar ashtu si çdo javë në pallatin në Kato Petralona të Athinës për të pastruar ambientet e përbashkëta.

"Ndodhesha në ashensor kur një njeri më kapi nga pas me forcë dhe më tërhoqi zvarrë. Siç e kuptoni në momente të tilla nuk është e lehtë të shohësh fytyrën. Ai bëri gjithçka për shumë orë", tha gruaja duke pohuar se ishte abuzuar shtatë herë rresht për pesë orë në banesën në katin përdhes të pallatit ku jetonte një 35 vjeçar bullgar dhe nëna e tij.

"Unë dua të harroj, dua ta harroj gjithë këtë. Tani jam me psikologët, duhet ta harroj", – tha ajo.

Nga ana tjetër, policia ka dhënë detaje të tjera mbi 35 vjeçarin nga Bullgaria që jeton prej shumë vjetësh në Greqi.

Ai kishte përdhunuar një 22-vjeçare në gusht 2015. Por më 2020 ai kishte dalë me ligjin e Paraskevopulos

"Ai e kishte përdhunuar vajzën, e kishte zhdëpur më dru, e kishte kërcënuar se do ta vriste dhe kishte goditur dhe qenin e saj, thanë oficerët e policisë të cituar nga gazeta Ethnos.

35-vjeçari, në atë kohë, u arrestua menjëherë dhe madje u soll para drejtësisë me akuzat e përdhunimit, vrasjes në tentativë, dëmtimit të rrezikshëm trupor, abuzimit të kafshëve, kërcënimit dhe shqetësimit. Por më pas u la i lirë dhe disa muaj më vonë abuzoi me 50 vjeçaren. Tani ai kërkohet nga policia pasi ende nuk gjendet. /ardi/noa.al